SHBA lëshon alarmin, paralajmërohet dhunë e motivuar nga politika

28/01/2021 12:15

Departamenti i Sigurisë Kombëtare në Shtetet e Bashkuara ka lëshuar një alarm mbarëkombëtar të terrorizmit.

Në dokument përmendet kërcënimi i mundshëm nga ekstremistët e brendshëm anti-qeveritarë që kanë marrë krah nga sulmi i 6 janarit ndaj Kongresit.

Megjithatë, Departamenti tha se nuk posedon ndonjë informacion për një “komplot specifik”, por ekziston shqetësimi se njerëzit e mllefosur me tranzicionin presidencial mund të kryejnë akte dhune.

“Aktualisht ekziston një mjedis kërcënues në të gjithë Shtetet e Bashkuara që mbase do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme”, tha departamenti në një njoftim për shtyp.

Alarmi lëshohet në një periudhë të tensionuar, pas trazirave në Kongres nga mbështetësit e zemëruar të ish-presidentit Donald Trump, të cilët donin të përmbysin rezultatin zgjedhor.

“Informacionet sugjerojnë se disa ekstremistë të dhunshëm të motivuar ideologjikisht mund të vazhdojnë të mobilizohen për të nxitur ose për të kryer dhunë”, thotë njoftimi.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se ekstremistët mund të ndërmarrin sulme kundër zyrtarëve të zgjedhur dhe institucioneve qeveritare. Pentagoni tha në fillim të kësaj jave se mijëra trupa të Gardës Kombëtare, të vendosura në Uashington, për inaugurimin e presidentit Joe Biden, do të vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytet deri në muajin mars për shkak të kërcënimeve të mundshme.

 

Top Channel