Spezia, e cili mbërriti në çerekfinale të Kupës së Italisë duke surprizuar Romën, u dorëzua pa kushte 4-2 ndaj Napolit në stadiumin “Maradona”, ku praktikisht ndeshja u mbyll brenda pjesës së parë. Skuadra e Gattusos, e cila vinte në këtë sfidë pas dy humbjeve radhazi, 3-1 me Veronën në kampionat dhe 2-0 përballë Juves në Superkupën e Italisë, disfata që e ka tronditur jo pak pozicionin e “Ringhios”, ishte e papërbajtshme që në minutat e para, teksa e gjeti golin që në të 5-tën me Koulibaly, i shërbyer nga Elseid Hysaj, ndërsa 15 minuta më vonë realizoi Lozano për 2-0.

Napoli nuk u mjaftua me epërsinë e dyfishtë, por shënoi edhe dy herë të tjerë brenda fraksionit hapës me Politanon (30’) dhe Elmas.

Në pjesën e dytë Napoli i uli ritmin, ndikuar nga avantazhi I thellë, madje Gattuso mendoi ta rifreskonte ekipin duke hedhur në fushë fillimisht Mertens dhe më pas Osimhen dhe Lobotkan, por Spezia u zgjua duke shënuar dy herë brenda tri minutave lojë (70’ dhe 73’) me Gyasin dhe Acamporan. Dy finalizime që e shkundën Napolin, që minutat e mbetura i administroi me qetësi, pa e lejuar kundërshtarin të shënonte të tretin, që do të hapte ndeshjen.

Një derbi shqiptarësh Hysaj-Ismajli i fituar bindshëm nga mbrojtësi shkodran, i cili luajti titullar, por me të ardhmen ende të paqartë te Napoli. Në gjysmëfinale skuadra e Gattusos do të përballet me Atalantën, që do të thotë se do të kemi një tjetër derbi kuqezinjsh mes Hysajt dhe Berat Gjimshitit.

Top Channel