Gjermania kufizon udhëtimet, masa mbrojtëse kundër varianteve të reja të Covid

28/01/2021 15:36

Gjermania po planifikon të ndalojë udhëtarët nga vendet e goditura më rëndë nga variantet e reja të koronavirusit dhe këtë e konfirmoi të enjten ministri i brendshëm Horst Seehofer.

Ai tha se kjo është një përpjekje për të ndaluar variantet e reja të hyjnë në vend dhe të përmbysin progresin e arritur në uljen e infeksioneve.

Horst Seehofer: Për momentin ne po koordinohemi në qeverinë federale me qëllim që të ndalojmë të ardhurit nga këto vende ku janë shfaqur variantet e reja. Aktualisht po fokusohemi tek Britania e Madhe, Portugalia, Afrika e Jugut dhe Brazili. Unë personalisht jam në favor të një rregulloreje shumë kufizuese.

Sipas virologëve dhe epidemiologëve gjermanë, kufizimi i lëvizjeve është thelbësor për të kontrolluar përhapjen në vend të varianteve më infektuese të koronavirusit. Ata kanë shtuar presionin mbi qeverinë për të vepruar, vecanërisht pas shembullit të Belgjikës që mbylli të gjithë kufijtë e saj, përveç udhëtimeve të domosdoshme, që nga e mërkura.

Masa e marrë nga Belgjika do të mbetet në fuqi deri më 1 mars dhe do ti japë fund udhëtimeve për pushime dhe argëtim. Agjencitë e ruajtjes së rendit po kryejnë kontrolle rigoroze në rrugë, aeroporte, porte dhe hekurudha. Përjashtohen nga masa transporti i mallrave, vizitat e bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, udhëtimet për arsye pune apo studimi si edhe pjesëmarrja në funerale të të afërmve të ngushtë. Norvegjia, që nuk është anëtare e BE, tha të mërkurën se do të mbyllte kufijtë e saj për të gjithë vizitorët, me përjashtim të udhëtimeve të domosdoshme.

Top Channel