Marrëdhëniet e Edin Dzekos me trajnerin e Romës Paulo Fonseca duken të parikuperueshme, pasi portugezi ka refuzuar sërish kërkesën e sulmuesit boshnjak për t’u stërvitur me ekipin, duke e nxjerrë përfundimisht jashtë planeve.

Të dy patën përplasje edhe gjatë sezonit të kaluar, për këtë vjeshtë bënë paqe dhe Dzeko pati luajtur thuajse gjithmonë titullar, megjithatë tensioni mes palëve u rikthye gjatë ndeshjes me Spezian javën e kaluar, kur verdhekuqtë u eliminuan në Kupë.

Pas një debati të ashpër me Dzekon, tekniku portugez e la sulmuesin jashtë skuadrës për ndeshjen e fundjavës sërish ndaj Spezias, por këtë herë për kampionat, ndërsa të hënën i komunikoi se nuk do të stërvitej me grupin.

Mediat pranë klubit verdhekuq konfirmojnë se marrëdhëniet mes të dyve kanë prekur fundin dhe gjasat më të mëdha janë që Dzeko të largohet nga Roma qoftë edhe në huazim, ndonëse momentalisht askush nuk ka shfaqur interes konkret për të.

Nëse nuk do të gjejë një ekip tjetër deri në fund të muajit, atëherë sulmuesi boshnjak do të jetë i detyruar t’u kërkojë ndjesë shokëve të ekipit, për t’u bashkuar me grupin dhe për të shpresuar të aktivizohet sadopak, pasi vendin e titullarit tashmë e ka rrëmbyes spanjolli Mayoral.

Top Channel