Presidenti Joe Biden nënshkroi të mërkurën një numër aktesh ekzekutive për të luftuar ndryshimin e klimës, duke përfshirë ndalimin e dhënies me qira të tokës federale për nxjerrjen e naftës dhe gazit dhe ndërprerjen e subvencioneve për karburantet fosile, në vazhdën e politikave të gjelbra që ai thotë se do të nxisin zhvillimin ekonomik.

Urdhrat ekzekutivë shënojnë një përmbysje të politikave të paraardhësit të tij republikan Donald Trump, i cili u përpoq të maksimizonte prodhimin e naftës, gazit dhe qymyrit në SHBA duke hequr ose zbutur rregulloret për mjedisin. “Për mendimin tim, ne kemi pritur tepër gjatë për t’u marrë me këtë krizë klimatike,” tha Presidenti Biden gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në dukje kërcënimet me të cilat përballet vendi nga intensifikimi i stuhive, zjarreve dhe thatësirave të lidhura me ndryshimin e klimës.

“Ky është një rast ku ndërgjegjja dhe komoditeti kryqëzojnë rrugë, ku përballja me këtë kërcënim ekzistencial për planetin dhe rritja e begatisë sonë ekonomike janë një dhe e pandarë. Kur mendoj për ndryshimin e klimës dhe masat për këtë qëllim, unë mendoj për vendet e punës,” shtoi Presidenti Biden. Ai tha se ndërtimi i një infrastrukture moderne dhe elastike të lidhur me klimën dhe një e ardhme me energji të pastër për Shtetet e Bashkuara do të krijonte miliona vende pune të paguara mirë dhe të garantuara nga sindikatat.

Fokusi i tij në çështjet e klimës është pritur mirë nga partnerët ndërkombëtarë dhe mbrojtësit e mjedisit, por ka shqetësuar kompanitë e mëdha të naftës, të njohura si “Big Oil”, të cilat argumentojnë se politika të tilla do t’i kushtojnë Shteteve të Bashkuara miliona vende pune dhe miliarda dollarë të ardhura në një kohë kur ekonomia është goditur nga pandemia COVID -19.

I dërguari i posaçëm amerikan për klimën John Kerry tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të shpallin përpara një samiti ndërkombëtar të klimës, që zoti Biden do të mbajë në Ditën e Tokës më 22 prill, një objektiv për uljen e emetimeve të gazrave serë deri në vitin 2030, sipas marrëveshjes së Parisit për klimën. Zoti Trump e kishte braktisur marrëveshjen, por Presidenti Biden u rikthye në të javën e kaluar.

Kina kryeson botën dhe Shtetet e Bashkuara janë të dytat në emetimin e gazeve serë, të cilat shkencëtarët i lidhin me ngrohjen e klimës. Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara do të punonin me Kinën por nuk do të sakrifikonin shqetësime të tjera të ngutshme për të bërë përparim në çështjet e klimës. Zoti Biden udhëzoi Departamentin e Rregullimit të Territorit të ndërpresë qiratë e reja të të tokës federale, apo ujërat në det të hapur për kërkimet e naftës dhe gazit “për aq sa është e mundur”.

Presidenti autorizoi një “rishikim rigoroz” të të gjitha praktikave ekzistuese të qiradhënies dhe lejeve në lidhje me nxjerrjen e karburanteve fosile në tokat dhe ujërat publike. Ai gjithashtu vendosi objektivin e ruajtjes së 30% të tokës dhe ujërave federale për të mbrojtur botën shtazore deri në vitin 2030 si dhe synimin për të dyfishuar prodhimin e energjisë së rinovueshme nga era në det, gjithashtu deri në vitin 2030.

Urdhrat do të ndikojnë sidomos në shtetet perëndimore, si dhe në sipërfaqet e shpimit në det të hapur kryesisht në Gjirin e Meksikës, të cilat së bashku përbëjnë rreth një të katërtën e furnizimit të naftës dhe gazit të vendit. Masat janë bërë objekt kritikash nga disa shtete që varen nga të ardhurat e shpimit. Një urdhër tjetër përcakton masat për klimën si një element thelbësor të politikës së jashtme të SHBA dhe të sigurisë kombëtare. “Nuk është koha për masa të vogla. Duhet të tregohemi të guximshëm,” tha Presidenti Biden./VOA

Top Channel