Putin paralajmëron rritje të pabarazisë, populizmit: Gjigandët e teknologjisë po rivalizojnë shtetet

27/01/2021 19:13

President rus Vladimir Putin paralajmëroi sot se bota rrezikon të bjerë në destabilizim më të thellë prej kombinimit të pandemisë së koronavirusit dhe tensioneve e rivaliteteve globale.

Duke folur me lidhje video në një takim virtual të Forumit Ekonomik Botëror, Putin theksoi se rritja e pabarazisë, papunësisë e populizimit mund të shkaktojë konflikte të reja që do ta çojnë botën në një ‘anti-Utopi të errët.’

“Pandemia ka përkeqësuar problemet dhe disbalancat e akumuluara. Institucionet botërore po dobësohen, konfliktet rajonale po shumëfishohen dhe siguria globale po degradon”, tha lideri rus.

Putin ngriti lart vendimin e Rusisë dhe SHBA për zgjatjen e traktatit të fundit të kufizimeve bërthamore, por shtoi se tensionet e shtuara po krijojnë një situatë të ngjashme me atë para Luftës së Dytë Botërore.

“Unë shpresoj se një konflikt i armatosur global të jetë i pamundur tani, pasi do të sillte fundin e civilizimit. Por situata mund të bëhet e paparashikueshme dhe të dalë jashtë kontrolli”.

Putin ia atribuoi përkeqësimin e situatës ekonomike modeleve liberale perëndimore, duke thënë se ato “kanë nxitur intolerancën sociale, raciale dhe etnike. Tensione po shikojmë edhe në vende me institucione demokratike të stabilizuara prej kohësh”.

Lideri rus përshkroi atë që quante ‘rol negativ’ të kompanive të mëdha teknologjike të cilat komandojnë rrjetet sociale, duke akuzuar se po abuzojnë me pozitën e tyre duke u përpjekur të “kontrollojnë shoqërinë dhe të zëvendësojnë institucionet legjitime demorkatike”.

Putin tha: “Gjigandët teknologjikë janë ‘de facto’ duke konkurruar me shtetin”.

“Këtë ne e pamë në Shtetet e Bashkuara”, tha ai duke iu referuar trazirave në Kongresin amerikan që sollën përjashtimin e Donald Trump nga rrjetet sociale, lëvizje që solli kritika të ashpra nga vendet evropiane.

Moska më herët ka akuzuar platformat gjigande për ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë, duke nxitur protestat e dhunshme për arrestimin e opozitarit Alexei Navalny.

Para protestave për Navalny në fundjavë, enti rregullator i medias në Rusi, Roskomnadzor urdhëroi platformat, duke përfshirë YouTube e Instagram, të eliminonin postimet ku bëhej thirrje për pjesëmarrje në protesta, çka nuk u zbatua prej tyre.

Në fjalimin e tij në samitin virtual të Putin tha se ka një “rritje të presionit ndaj atyre vendeve që nuk veprojnë si satelitë të bindur të superfuqive, me anë të barrierave ekonomike, sanksioneve të jashtëligjshme dhe kufizime të tjera në sferat financiare, teknologjike dhe të infromacionit”.

“Epoka e shënuar nga tentativat për të krijuar një rend botëror të centralizuar unipolar ka marë fund tashmë”, tha Putin duke iu referuar dominimit të përceptuar global nga SHBA.

FOTO GALERI
1/4
Putin ngriti lart vendimin e Rusisë dhe SHBA për zgjatjen e traktatit të fundit të kufizimeve bërthamore

Top Channel