Nuk pyetën për Covid dhe u “harbuan” në klube nate, kryeministri japonez kërkon falje për ligjvënësit e pabindur

27/01/2021 10:15

Kryeministri japonez Yoshihide Suga ka kërkuar falje publike pasi ligjvënësit nga koalicioni i tij qeverisës shkuan në klube nate në një kohë kur është e ndaluar për shkak të pandemisë.

Fakti që kanë deputetët e tij janë parë duke thyer rregullat e pandemisë, mund të jetë shqetësim për Sugën, i cili është përballur me shumë kritika për menaxhimin e situatës.

Para parlamentit, Suga tha: “Më vjen shumë keq që kjo ndodhi në një kohë kur ne u kërkojmë njerëzve të mos hanë jashtë pas orës 20:00 dhe të shmangin daljet jo thelbësore, jo urgjente. Çdo ligjvënës duhet të sillet në mënyrën e duhur për të fituar besimin e publikut.”

Këtë muaj, Japonia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio dhe zona të tjera me qëllimin që të uleshin rastet e infektimeve. Masat shtrënguese përfshijnë faktin që restorantet dhe baret të mbyllen deri në orën 8 të mbrëmjes megjithëse nuk ka ndëshkime për shkelje të rregullave.

Një raport i revistës Daily Shincho zbuloi se ligjvënësit nga Partia Liberale Demokratike kishin vizituar dy klube nate në lagjen Ginza të Tokios, pasi kishin ngrënë në një restorant italian të hënën e kaluar.

Duke folur para gazetarëve, Jun Matsumoto tha: “Sjellja ime ishte e pakujdesshme në një kohë kur ne u kërkojmë njerëzve të jenë të durueshëm.”

Top Channel