Hera e fundit që Manchester United humbte në kampionat, ishte më 1 nëntor të vitit të kaluar përballë Arsenalit në “Old Trafford” dhe pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive, që e kishin dërguar deri në krye të renditjes, pësuan sërish disfatë mbrëmjen e sotme.

“Djajtë e kuq” u mposhtën 1-2 në shtëpi nga Sheffield United dhe dorëzuan kreun e renditjes te skuadra tjetër e qytetit, Manchester City, që u shpall edhe kampion dimri në Premier League.

Bryan në pjesën e parë dhe Burke në të dytën shënuan për Sheffield United, ndërsa djemtë e Solskjaer rikthyen baraspeshën e përkohshme me anë të mbrojtësit Maguire.

Përfundoi pa fitues një nga sfidat më interesante të javës, ajo mes Evertonit dhe Leicesterit, me “dhelprat” që ia dolën të marrin një pikë shumë të rëndësishme në “Goodison Park” të Liverpoolit.

“The Toffees” kaluan në avantazh në minutën e 30’, me golin e fantazistit kolumbian James Rodriguez, ndërsa Leicester riktheu baraspeshën në të 67-ën me anë të Tielemans, duke marrë një pikë që e mban në vendin e tretë.

Top Channel