‘Lufta’ për vaksinat…/ Italia investon tek Reithera, e gatshme në qershor

27/01/2021 15:02

Të gjendur përballë vonesave dhe problemeve në furnizimin me vaksina, disa vende të bashkimit evropian, po shqyrtojnë mundësi të tjera për të siguruar imunizimin e shtetasve të tyre.

Ndërsa Hungaria është vendi i vetëm në BE që ka hedhur sytë nga Kina dhe Rusia, Italia në anën tjetër po përqendrohet tek ReiThera, vaksina italiane që në qershor mund të bëhet e aksesueshme.

Pas të gjitha fazave të eksperimentimit dhe certifikimit, Reithera po shihet si zgjidhja përfundimtare e virusit pasi ndryshe nga vaksinat e tjera është në një dozë të vetme dhe mund të ruhet në një frigorifer normal në temperaturë 4 gradë celsius. Dhe zyrtarët thonë se mund të prodhohen 100 milionë doza të kësaj vaksine në vit.

Nisur nga premisat pozitive, shteti italian ka investuar 81 milionë euro tek vaksina vendase me Invitalian, Agjencinë kombëtare për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e sipërmarrjeve, në pronësinë e ministrisë së ekonomisë, që do të blejë 30 për qind të kapitalit të kompanisë bioteknologjike që nga qershori do të jetë e gatshme për të kaluar procedurat për miratim nga ana e agjencisë evropiane të ilaçeve, EMA.

Agjencia italiane e ilaçeve thotë se vaksina italiane mund të jetë e disponueshme për përdorim të gjerë nga shtatori.

Top Channel