Juventus mposht pa problem Spalin me rezultatin e pastër 4-0 dhe kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, aty ku do të gjejë përballë Interin, me ndeshjen e parë që është planifikuar të zhvillohet në “San Siro” të mërkurën e 3 shkurtit.

Pa Ronaldon e Bentancour, që ishin lënë pushim, bardhezinjtë zgjidhën shpejt ndeshjen ndaj Spalit, pasi në minutën e 16’ Rabiot fitoi një 11-metërsh, të akorduar me ndërhyrjen e VAR-it, ndërsa Morata ekzekutoi saktë dhe mposhti Berishën.

Në minutën e 33-të ishte mbrojtësi anësor Frabotta, që pas një asisti të Kulusevskit, shënoi edhe golin e dytë, duke mbyllur llogaritë e kualifikimit për bardhezinjtë që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë bardhezinjtë shënuan edhe dy herë të tjera me anë të Kulusevskit dhe Chiesës, duke vulosur suksesin 4-0, rezultat që mund të kishte qenë edhe më i thellë, nëse Etrit Berisha nuk do të kishte bërë disa pritje vendimtare.

Juventusi është skuadra e tretë gjysmëfinaliste, pasi Interit dhe Atalantës, teksa bardhezinjtë do të përballen pikërisht me zikaltrit e Contes, ndërsa bergamaskët e Gasperinit do të diskutojnë finalen me fituesen e çiftit Napoli-Spezia, ndeshje që do të luhet nesër në mbrëmje.

Top Channel