Biden nënshkruan urdhra ekzekutivë për klimën dhe mjedisin

27/01/2021 22:39

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë për çështjen e klimës, duke përfshirë një ndalesë të re për disa shpime të energjisë.

Urdhrat synojnë të ulin emetimet e naftës, gazit dhe qymyrit dhe të dyfishojnë prodhimin e energjisë përmes erës deri më 2030.

“Sot është dita e klimës në Shtëpinë e Bardhë. Ne kemi pritur tashmë shumë gjatë dhe ne nuk mund të presim më”, tha Biden të mërkurën.

Seria e urdhrave ekzekutivë që presidenti Biden nënshkroi krijojnë një zyrë në Shtëpinë e Bardhë për politikën e brendshme të klimës dhe parashohin mbajtjen e një samiti të udhëheqësve botëror, në muajin prill, kur shënohet Dita e Tokës.

Demonstruesit rrotullojnë një glob gjigand nëpër një rrugë ndërsa marrin pjesë në një protestë për klimën. Foto nga arkivi.
LEXONI EDHE KËTË:
Bota duhet të shpallë emergjencë klimatike, thotë OKB-ja
Ndryshimi i klimës, sipas planit të presidentit Biden, do të bëhet një përparësi e “sigurisë kombëtare” dhe “politikës së jashtme”, thonë zyrtarët.

Biden po i bën thirrje gjithashtu Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së që të përgatisë një raport të inteligjencës mbi ndikimet e ndyshimit të klimës në siguri.

Paraardhësi i tij, Donald Trump e kishte minimizuar çështjen e ndryshimeve klimatike dhe e kishte tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje e rëndësishme e klimës e njohur si Marrëveshja e Parisit.

SHBA-ja nën udhëheqjen e Bidenit është rikthyer në këtë marrëveshje.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje çdo vendi në botë që të deklarojë një “gjendje të emergjencës klimatike”. Ai komentet i bëri gjatë një samiti online për të shënuar përvjetorin e pestë të marrëveshjes së Parisit për klimën, në muajin dhjetor të vitit 2020.

Top Channel