306 ditë në spital/ Pacienti me Covid më në fund kthehet në shtëpi

27/01/2021 15:09

Një burrë nga Londra Veriore, është kthyer në shtëpi pas 306 ditësh në spital, duke luftuar me pasojat e koronavirusit.

Geoffrey Woolf, 74 vjeç, u sëmur në shtëpinë e tij në Islington më 20 mars dhe u dërgua në spital tre ditë më vonë. Ai më pas u vendos në gjendje kome mjekësore. Në prill, tre djemtë e tij u thirrën për ti thënë lamtumirë, pasi skanerat e trurit të tij nuk tregonin asnjë aktivitet.

Ata kërkuan edhe një skaner të fundit, që tregoi një sasi të vogël aktiviteti të trurit, një shpresë e vogël se ai mund të shërohej. Përkundër pritshmërive, ai u zgjua në korrik. Kishte pësuar një infarkt, që e kish lënë të paralizuar në njërën anë të trupit dhe kish prekur edhe aftësinë e të folurit. Por kishte mbijetuar.

Pas 127 ditësh në reparte të ndryshme në spital, ai ishte transferuar në një tjetër institucion më të specializuar. U deshën edhe gjashtë muaj të tjerë rehabilitim për të folurën dhe terapi fizike para se doktorët ta konsideronin  në gjendje për tu kthyer në shtëpi. Ai besohet se ka kaluar periudhën më të gjatë në spital nga çdo pacient tjetër i prekur nga koronavirusi, para rehabilitimit.

Top Channel