SHBA/ Senati miraton me 84 vota pro Janet Yellen si Sekretare të Thesarit

26/01/2021 04:58

Senati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka miratuar kandidaten e propozuar nga presidenti Biden, për postin e sekretares së thesarit. Më këtë miratim nga Senati, Janet Yellen u bë femra e parë në këtë pozicion.

Yellen mori 84 vota pro dhe 15 kundër duke u bëtë kështu anëtarja e tretë e kabinetit të Presidentit Biden që kalon procesin e konfirmimit në Senat. Janet Yellen bëhet personi i 76 në historinë e SHBA-së që merr këtë pozicion.

Ajo pritet të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Presidentit Biden për të siguruar miratim për paketën e ndihmave prej 1.9 trilionë dollarësh në përgjigje të pandemisë. Paketa ka hasur në rezistencë të fortë nga republikanët në Senat, të cilët duan një paketë shumë më të vogël.
Duke folur pak para votës në Senat, udhëheqësi i shumicës demokrate, Chuck Schumer vuri në dukje se Janet Yellen, ish-kryetare e Rezervës Federale, gëzon mbështetje dypartiake.

Schumer tha se Yellen ka një eksperiencë shumë të gjerë dhe mbështetja për të reflekton “se sa e përshtatshme është ajo për të menaxhuar sfidat ekonomike të kohës sonë… sidomos këtë moment krize ekonomike”.

Gjatë seancës për konfirmimin e saj në Komisionin e Senatit për Financat javën e kaluar, Yellen argumentoi se pa veprime të menjëhershme, vendi do të kërcënohet nga “një recesion më i gjatë dhe më i dhimbshëm”. Ajo bëri thirrje për veprim të shpejtë për të miratuar paketën e ndihmave kundër goditjes së pandemisë, e cila përfshin pagesa të drejtpërdrejta prej 1400 dollarësh për individë që marrin më pak se 75,000 dollarë në vit, zgjerimin e asistencës së papunësisë si dhe mbështetje për bizneset dhe qeverisjet lokale në vështirësi.

Top Channel