Më në fund vëmendje për vaksinën/ BE diskuton për shpërndarjen në vendet e Ballkanit Perëndimor

26/01/2021 00:52

Në mesin e ankesave se rajoni po lihet jashtë vëmendjes, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian diskutuan në Bruksel mbi ndarjen e vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të fqinjësisë lindore.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në këtë takim u përsërit qëllimi i BE-së që “të sigurojë sa më parë” një sasi të dozave të vaksinave edhe për vendet në fjalë, të cilat do të ndaheshin nga sasia që u dedikohet vendeve anëtare.

Por, problem serioz në këtë moment thuhet se paraqesin vonesat në shpërndarjen e vaksinave nga prodhuesit te vendet anëtare të BE-së. Kjo, sipas burimeve në Bruksel, e vështirëson edhe donacionin e vaksinave që BE-ja e ka paralajmëruar për vendet e Ballkanit Perendimor. Komisioni Europian është në bisedime me prodhuesit e vaksinave për t’i detyruar ata që t’i përmbushin detyrimet nga marrëveshja për shpërndarjen e tyre, thotë REL. Aktualisht, vëtëm dy vaksina janë të autorizuara për përdorim në BE: Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Nga Komisioni Europian është paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave do të autorizohet edhe vaksina e zbuluar nga Universiteti i Oxfordit dhe e prodhuar nga kompania AstraZeneca. Kjo kompani e ka shqetësuar BE-në me njoftimet se në çerekun e parë të vitit do të shpërndajë 60 për qind më pak vaksina sesa që janë porositur.

Vonesat e tilla në BE tani përmenden si arsye shtesë se përse ende asnjë vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk ka marrë ndonjë sasi të vaksinave përmes BE-së. Shumica e vaksinave për këto vende pritet të arrijnë përmes nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vende të varfra.

Top Channel