Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, dha dorëheqjen të martën në një lëvizje taktike që ka si qëllim të maksimizojë shanset për udhëheqjen e një qeverie të re.
Conte u takua me kabinetin në orën 9 të mëngjesit para se zyrtarisht ti dorëzonte dorëheqjen presidentit Sergio Mattarella, deklaroi zyra e tij në një deklaratë.
Conte i mbijetoi një votëbesimi në të dyja dhomat e parlamentit, javën e kaluar, pasi ish kryeministri Matteo Renzi, shkaktoi një krizë politike duke tërhequr partinë e tij të vogël Italia Viva nga koalicioni qeverisës. Sidoqoftë, votëbesimet e lanë Conten me një shumicë të vogël dhe ai nuk mundi të forcojë mbështetjen.
Me një shumicë të dobët, ai pritej të pësonte disfatë në një votim të mërkurën në senat për një raport gjyqësor. Sipas raporteve të mediave, Conte ka qenë nën presion nga dy partitë kryesore të koalicionit, lëvizja pesë yjet dhe partia demokratike, për të dhënë dorëheqjen para votimit të së mërkurës në mënyrë që të përfitonte nga mundësia që Mattarella do ti jepte një mandat për të krijuar një qeveri të re të mbështetur nga një koalicion më i gjerë.
Conte gëzonte popullaritet për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë gjatë valës së parë, kur vendi qëndroi në izolim për dy javë, por ka humbur pak besueshmëri në lidhje me qëndrimin kaotik ndaj kufizimeve pasuese dhe reagimit të dobët financiar për bizneset e prekura.
Top Channel