Protestat e dhunshme në Holandë, Kryeministri Rutte: Ky është akt kriminal!

25/01/2021 18:11

Kryeministri holandez, Mark Rutte i dënoi ashpër protestat e dhunshme në vend kundër masave të rrepta kufizuese, të marrë më qëllim frenimin e pandemisë, e sidomos variantet e reja dhe më infektuese të koronavirusit që po qarkullojnë këto kohë.

Rutte përdori tone të forta ndaj demonstruesve.

“Këto nuk kanë asnjë lidhje me protestat, këto janë akte kriminale dhe ne do t`i trajtojmë si të tilla. Me situatën e krijuar, variantin e ri britanik dhe shqetësimet e mëdha që ai ka ngjallur, e gjejmë vetën në një situatë të ngjashme me atë të marsit të kaluar, kur shikonim nga Bergamo me shpresën se sëmundja do të largohej. Por në fakt ajo që ndodhi është se infektimet po rriten ndjeshëm dhe ne duhet të bëjmë c`është e mundur për ti ulur rastet sa më shumë”.

Protestuesit sulmuan forcat e rendit e i vunë zjarrin makinave dhe biçikletave në tubimet kundër vendosjes së shtetrrethimit. Në qytetin jugor të Eindhoven, ata përdorën fishekzjarrë, grabiten supermarkete e thyen vitrinat e dyqaneve. Më shumë se 200 vetë kanë përfunduar në pranga. Qeveria holandeze vendosi ndalimin e fluturimeve nga Britania e Madhe, Afrika e Jugut dhe Amerika e Jugut për shkak të frikës nga variantet e reja të virusit. Në vend ka pasur gjithsej 13.646 vdekje të konfirmuara deri tani dhe më shumë se 962,000 infektime.

Top Channel