Ky nuk është pallati im! Putin rrëzon pretendimet e Navalny-it

25/01/2021 21:00

Presidenti rus Vladimir Putin mohoi të jetë pronari i pallatit luksoz të denoncuar nga kritiku i ashpër i Kremlinit, Aleksek Navanly në një video që bëri pak ditë më parë xhiron e botës.

Videoja u bë virale dhe u klikua nga më shumë se 86 milionë njerëz. Pallati përrallor pranë brigjeve të detit të Zi thuhet se është financuar nga oligarkë pranë Putinit në formë rryshfeti për presidentin. Ai përshkruhet si një qytet më vete me një kazino, pistë patinazhi e vreshta.

Aludimet për pallatin, të cilat u shfaqën për herë të parë në vitin 2010, kur një biznesmen i shkroi presidentit të atëhershëm Dmitry Medvedev me ankesën për rryshfet nga zyrtarët e shtetit, vijnë ndërsa mbështetësit e Navalny po u bëjnë thirrje njerëzve t’u bashkohen protestave mbarëkombëtare të shtunën. Navalny dhe fondacioni i tij anti-korrupsion publikuan foto e  vizualizime të hollësishme 3-D të bazuara në planet e mjediseve të brendshme luksoze së bashku me një varg dokumentesh që sipas tyre provojnë se pallati buzë Detit të Zi prej 1.36 miliardë dollarësh i përket presidentit rus.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pretendimet për pallatin janë të vjetra dhe të pavërteta.Navalny dhe aleatët e tij kanë ndërmarrë disa hetime në lidhje me pretendimin për korrupsion zyrtar, duke i përdorur ato për të rritur mbështetjen ndaj politikanit të opozitës dhe lëvizjes së tij.

Top Channel