Në një kohë që në Britaninë e Madhe shtohen raportimet për koston e Brexitit, kryeministri Boris Johnson refuzon t’i japë ambasadorit të BE në Londër statusin e diplomatit.
Në fakt që nga maji i vitit të kaluar është diskutuar kjo temë dhe sot, Ministrat e Jashtëm të BE do të diskutojnë konkretisht. Në vend që të ndërtojë marrëdhëniet miqësore me BE, aq e përfolur kjo pas përfundimit të Brexitit, Boris Johnson duket se po ndez një përplasje diplomatike me qëndrimin e tij. Statusi diplomatik, i takon misionit të BE në Londër, bazuar në marrëveshjen e Vjenës.
Para Boris Johnson, Donald Trump në 2019, ishte i vetmi lider shteti në botë që i mohoi misionit të BE statusin e një ambasade, por disa muaj më vonë ndryshoi qëndrim për shkak të reagimeve të ashpra. Pavarësisht reagimeve të forta nga Brukseli, qeveria e Johnson i jep BE statusin e një organizate ndërkombëtare duke e kategorizuar kështu më poshtë se një shtet nga ana diplomatike.
Ministria e Jashtme në Londër deklaroi, se diplomati i BE, Jao Vale de Almeida, do të gëzojë “privilegje të njëjta” me atë të një diplomati të vërtetë.
“BE e sheh veten si shtet, ne e shohim atë si një organizatë ndërkombëtare”, thotë ministria.
Në anën tjetër 142 vende në botë, mes tyre edhe SHBA, i kanë dhënë përfaqësisë së BE statusin diplomatik. “Statusi i BE në marrëdhëniet e jashtme dhe statusi diplomatik i saj njihet në të gjithë botën dhe ne presim, që Britania e Madhe të trajtojë pa vonesë delegacionin e BE-së si duhet”, tha zëdhënësi i bllokut Peter Stano.
Por ky qëndrim i qeverisë britanike nuk shihet mirë edhe në vend. Konservatorët janë shprehur kundër por ka patur edhe zëra kritikë mes vetë laburistëve. Ish kryeministri Laburist, Gordon Broën, është më i fundit që ka ngritur zërin duke paralajmëruar se Britania duhet të reformojë mënyrën se si qeveriset përndryshe do të bëhet një shtet i dështuar.
Top Channel