Joe Biden kërkon që shkollat të përfshijnë atlete transgjinore në sportet e vajzave/ Ekspertët: Nuk është e drejtë

25/01/2021 14:33

Fizioterapisti Ervin Kapaj shpjegon pse përfshirja e transgjinorëve në ekipin e femrave do të diskriminonte vajzat.

Një ndër vendimet e para të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është kërkesa që shkollat të përfshijnë atlete transgjinore në sportet e vajzave.

Ervin Kapaj, ka punuar në federatën shqiptare të futbollit (për meshkuj) dhe me ekipin e volejbollit për femra dhe shpjegon se transgjinorët kanë fizik të ndryshëm nga vajzat. “Mendoj se do të kishte disavantazh të madh. Të vogla femrat janë më të shkathëta por kur rriten kemi ndryshimet hormonale.Testosteroni, te meshkujt është stimulant i muskujve dhe gara do të ishte e padrejtë, sepse një transgjinor që ndihet femër por ka fizik mashkulli ka forcën e mashkullit, kështu që do të kishte gjithnjë përparësi me vajzat në gara. Meshkujt kanë më shumë mitokondri që janë qendrat e energjisë së muskujve“.

Sipas tij, “do ishte shumë herë më mirë që të kishte një kategori më vete për transgjinorët, do ishte  më e drejtë”.

Por, Amber, një trasgjinore, e ftuar në “Shqipëria live”, kundërshton Kapajn. “Kur merr hormone femërore, nuk ke më forcën e një mashkulli. Kocka hollohet, trupi ndryshon, ti nuk ke më forcën e një mashkulli. Unë do të doja që të garoja në çdo garë me femra, jo me meshkuj. Mua më pëlqejnë femrat, ndihem femër dhe nuk kam forcën e një mashkulli”.

Ndërsa sipas Nard Ndokës, problemi është ana ligjore. “Duhet vërtetuar ligjërisht se kanë fizikun e femrës dhe pastaj nuk do të kenë pengesa që të garojnë në kompeticione me femrat“.

 

Top Channel