Ilaçi i ri kundër koronavirusit/ Gjermania nis përdorimin në klinikat universitare

25/01/2021 12:00

Qeveria gjermane ka blerë tashmë një ilaç të ri kundër koronavirusit të bazuar mbi antitrupat.

“Nga java e ardhshme do të përdoren antitrupat monoklonale në Gjermani, duke e bërë atë vendin e parë në BE. Në fillim, kura e re do të përdoret në klinikat universitare”, bëri të ditur ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. “Federata ka blerë 200.000 doza për 400 milionë euro.” Që do të thotë, se për një dozë çmimi është 2000 euro.

Më këtë ilaç antitrupash, sipas raportimeve është trajtuar edhe presidenti amerikan, Donald Trump pas infektimit me koronavirus. “Ato veprojnë si një vaksinim pasiv. Dhënia e antitrupave të tillë mund të ndihmojë grupet e rrezikuara të pacientëve në fazën e hershme të sëmundjes duke penguar ecurinë e rëndë të saj”, është shprehur Spahn.

Substanca e REGN-COV2 është një kombinim special i dy antitrupave, që bllokojnë të ashtuquajturën proteinë Spike të koronavirusit duke deformuar kështu strukturën e saj.

Në këtë mënyrë pengohet që koronavirusi të sulmojë qelizat e njeriut në trup dhe të shumohet. Kombinimi i dy antitrupave, sipas koncernit amerikan Regeneron, pengon, që virusi SARS-COV2 të pësojë mutacione. Për gazetën gjermane Bild am Sonntag, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn u shpreh edhe për më shumë kujdes në drejtim të fajësimeve në përballjen me pandeminë. “Të flasësh për gabime apo humbje shansesh është e rëndësishme. Po pa e kaluar në luftë të pamëshirshme. Pa pasur si qëllim shkarkimin e fajit tek të tjerët”, tha Spahn.

Top Channel