Dezertimi i ambasadorit koreano-verior, sinjal i zbehjes së pushtetit të Kim

25/01/2021 18:37

Ambasadori i Penianit në Kuvajt është arratisur drejt Koresë së Jugut, njofton një tjetër i larguar.

Ambasadori në detyrë i Koresë së Veriut në Kuvajt ka dezertuar në Korenë e Jugut, në një prej rasteve të profilit të lartë të arratisjeve nga vendi i izoluar.

Ryu Hyun-woo kishte drejtuar ambasadën e Penianit në Kuvajt që prej marrjes së stafetës nga So Chang-sik i cili ishte përjashtuar në 2017.

Ryu raportohet se është larguar prej shtatorit të shkuar, ka thënë Tae Yong-ho, i cili ka qenë zv. ambasador i Koresë së Veriut në Britani, para e të largohej edhe ai drejt Jugut në 2016. Ky i fundit vitin e kaluar u zgjodh si deputet në parlamentin e Seulit.

Kuvajti është një nga vendet kryesore për burimet e të ardhurave të Penianit, pasi në vend punojnë mijëra koreano-veriorë në projektet e ndërtimit.

Tae thotë më tej se Ryu është dhëndër i Jon Il-chun, punonjës i rëndësishëm i zyrës së financave të Partisë së Punës në Veri.

Organet e inteligjencës së Koresë së Jugut nuk komentojnë për çështjen.

Dezertimi i Ryu mund të jetë një sinjal se udhëheqësi Kim Jong-un po humbet bazën e pushtetit të tij, sipas Tae.

Ryu është arratisur disa muaj pasi Jo Song-gil, ambasadori koreano-verior në Itali, u zhduk nga ambasada atje për t’u shfaqur më vonë edhe ai në Korenë e Jugut.

Tae tha për agjencinë Reuters se njohuritë dhe eksperiencat në botën e jashtme kishin ndjellë zhgënjim në familjen e tij, duke vendosur të arratisej për t’i dhënë “më shumë liri” fëmijëve të tij.

“Dua t’i them zyrtarëve nëpër botë dhe elitës së Koresë së Veriut se ka një alternativë dhe se dera është e hapur,” tha Tae në intervistë.

Top Channel