Të çmendur pas Bernie Sanders/ Fotoja e senatorit në ceremoninë e Biden bëhet virale në rrjet

24/01/2021 01:35

Çdo event i madh ka gjithnjë një foto apo dy që çojnë në një shpërthim memesh në internet. Por, senatori Bernie Sanders, në inaugurimin e presidentit Joe Biden, rezultoi një sensacion i vërtetë.

Sanders u shfaq në ceremoninë e të mërkurës i veshur me një xhup bezhë, të parë edhe më herët, doreza dhe maskë mbrojtëse, me një zarf nën sqetull. I veshur në këtë mënyrë, në një det rafinece që i shkon për shtat ditës së inaugurimit, ai ra menjëherë në sy. Një pafundësi memesh u shfaqën në internet. Dhe fotoja e tij, me duar e këmbë të kryqëzuara, duke u struktur nën kapotë nga i ftohti, e bëri atë yllin viral të ditës.

Nuk vonoi shumë që memet ta vendosnin atë kudo… nga e famshmja Darka e Fundit e deri tek Koverat e albumeve muzikore apo rrugët e qytetit të Nju Jorkut. Senatori i Vermontit, mes përfaqësuesve më të rëndësishëm të krahut radikal të Partisë Demokratike, u bë protagonisti absolut i kolazheve argëtuese duke zënë madje edhe vendin e yjeve të Hollivudit, nga Sharon Stone në skenën kult të Basic Instinct e deri tek Demi Moore ku Sanders zëvendëson Patrick Swayze që e përqafon ndërsa ajo bën një vazo balte.

Por e gjithë kjo shkoi edhe më larg. Përdoruesit e rrjetit krijuan një PNG transparente që i lejonte të tjerëve të vendosnin me fotoshop Bernin në çdo skenë që donin. Një gjeni i rrjetit, krijoi një lente në Snapchat që i lejonte përdoruesve ta vendosnin Bernin e ulur në karrige në mes të shtëpisë së tyre. Shumë shpejt, Berni u bë global, falë një website-i që i lejonte njerëzit ta vendosnin foton në skena nga google maps Street View.

E madje pa kaluar as 24 orë, Bernie në karrige mund të shfaqej edhe në formë komerciale. Shumëkush tani mund të pijë, nëse do, kafe në një filxhan mbi të cilin shfaqet Bernie dhe dorezat e tij apo të veshë një bluzë me imazhin e stampuar mbi të.

Top Channel