Sërish largim nga LSI? Kush është deputetja që iu bashkua Partisë Socialiste

24/01/2021 14:39

Deputetja Ediola Braha është larguar nga LSI për t’iu bashkuar partisë që qeveris vendin.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili ka publikuar fotografi pranë saj teksa ndodheshin në Tepelenë.

Me anë të një postimi në Facebook, shkroi se “angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm”. Çuçi thekson se PS është më e mira e politikës shqiptare dhe shprehet i bindur se do të fitojnë mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Shkrimi i plotë:

Skuadrës fantastike të Partisë Socialiste në Tepelenë iu bashkua edhe deputetja e LSI-së, Ediola Braha. S’ka më asnjë dyshim se partia që kryetari i opozitës e ka quajtur “SHPK-ja e tregtarit të Venedikut”, po shkon drejt shkërmoqjes totale dhe më 25 prill do të marrë goditjen finale. Angazhimi me LSI-në dhe vota për këtë parti është një mundësi e çuar dëm.

Kaq gjë shqiptarët e kanë të qartë dhe do ta dëshmojnë me votë. Partia Socialiste është e vetmja e mirë që ka sot politika shqiptare. Në këto zgjedhje nuk diskutohet thjesht mandati jonë i tretë, por jemi në një betejë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ata janë e shkuara e rrëmujës dhe e rrënimit që nuk meritojnë më besim. #BashkëMePartinëSocialiste #PërShqipërinëQëDuam

Deri tani, Lëvizjes Socialiste për Integrim i janë larguar figura të njohura si Nasip Naço, Gledion Rehovica, dhe  Aleksandër Lipivani duke iu bashkuar PS.

Top Channel