Protesta dhe arrestime në Rusi/ Arrestohet edhe bashkëshortja e Navalnit

24/01/2021 01:13

Qindra persona janë arrestuar pasi policia u përpoq të ndalte një protestë në shkallë kombëtare në Rusi, në mbështetje të politikanit opozitar të burgosur, Alexei Navalni.

Bashkëshortja e tij, Julia, po ashtu tha se ishte ndaluar në një protestë në kryeqytetin Moskë, ku policia po përleshej me demonstruesit.

Mijëra njerëz kanë dalë në protesta edhe në Rusinë e largët lindore, ku arrestimet kanë qenë të shumta. Navalni, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit Vladimir Putin, apeloi për protesta pas arrestimit të tij fundjavën e kaluar.

Ai u dërgua në burg më 17 janar pasi u kthye në Moskë nga Berlini, ku ai u kurua pas sulmit thuajse vdekjeprurës me agjentin nervor Novicok, në Rusi, gushtin e kaluar. Në kthimin e tij ai u arrestua menjëherë dhe u shpall fajtor për shkelje të lirisë me kusht. Ai tha se bëhej fjalë për një rast të orkestruar që kishte si qëllim t’i mbyllte gojën dhe i kërkoi mbështetësve të protestonin.

Top Channel