Varianti britanik i Covid-19/ Johnson: Jo vetëm më infektues, por edhe më vdekjeprurës

23/01/2021 00:40

Të dhënat fillestare tregojnë se varianti i koronavirusit i shfaqur në Britaninë e Madhe, mund të jetë më vdekjeprurës – tha kryeministri Boris Johnson.

Sidoqoftë, ka paqartësi të mëdha për sa i takon shifrave dhe vaksinat pritet të funksionojnë. Të dhënat vijnë nga matematicienët që kanë krahasuar nivelin e vdekjeve mes njerëzve të infektuar me versionin e ri dhe atë të vjetër të virusit.

‘Unë duhet t’ju tregoj diçka; jam informuar sot se përveçse përhapet më shpejt, duket tani se ka disa prova që tregojnë se varianti i ri, i identifikuar fillimisht në Londër dhe në juglindje, mund të lidhet edhe me një shkallë më të lartë vdekshmërie’- tha Johnson.

Varianti i ri më infektues, është përhapur tani gjerësisht në Britaninë e Madhe. Dhe sipas Johnson, janë pasojat e këtij varianti të ri që e kanë vendosur sistemin shëndetësor në Britani, nën një presion të madh. Provat vijnë nga shkencëtarët e një grupi këshillues që merret me kërcënimin nga viruset e reja, NERVTAG, që ka informuar qeverinë.

Sir Patrick Vallance, këshilltar shkencor i qeverisë, tha se të dhënat sidoqoftë nuk ishin përfundimtare. Studime të mëparshme tregonin se varianti i ri përhapet nga 30 deri në 70 për qind më shpejt se variantet e mëparshëm ndërkohë që tani ka të dhëna se ai mund të jetë edhe 30 për qind më vdekjeprurës.

Për shembull, në 1 mijë persona të moshës mbi 60 vjeç, të infektuar me variantin e vjetër, 10 prej tyre mund të gjejnë vdekjen. Por kjo rritet në rreth 13 me variantin e ri.

Top Channel