Sekretari i ri i mbrojtjes në SHBA/ Senati konfirmon afro-amerikanin e parë në këtë post

23/01/2021 01:11

Senati amerikan konfirmoi gjeneralin në pension Lloyd Austin si Sekretar të ri të Mbrojtjes, i cili bëhet afro-amerikani i parë në këtë detyrë. Votimi përfundoi 93 vota pro dhe 2 kundër në Senatin prej 100 anëtarësh, shumë më tepër sesa shumica e thjeshtë e kërkuar.

Menjëherë pas konfirmimit, Austin bëri të premten një vizitë në Pentagon. Të enjten, të dyja dhomat e Kongresit ranë dakord të hiqnin një pengesë ligjore duke bërë të mundur që Austin, që ka shërbyer si ish-komandant i forcave amerikane në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, të emërohej në postin civil pas më pak se shtatë vitesh prej largimit të tij nga ushtria.

Senati pritet gjithashtu të vijojë me konfirmimin e kandidatëve të tjerë të rëndësishëm, si ish-ambasadori William Burns, i emëruar si drejtor i CIA-s. Të enjten nisi detyrën një nga anëtarët kryesorë të ekipit të sigurisë kombëtare të presidentit Biden. Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar Avril Haines ishte emërimi i parë i presidentit që u konfirmua, duke nisur menjëherë detyrën. Ajo është gjithashtu gruaja e parë që drejton këtë agjenci. Haines u betua të enjten në mëngjes, më pak se 24 orë nga konfirmimi në Senat, me 84 vota pro e 10 kundër.

Menjëherë pas betimit, Haines mori pjesë në takimin e përditshëm me presidentin, gjatë të cilit ai njihet me infomacionet e zbulimit. Ajo gjithashtu u përçoi një mesazh punonjësve të agjencive të zbulimit kombëtar, duke thënë ndër të tjera se puna e tyre “nuk ka qenë kurrë më jetike sesa tani”. Konfirmimi i shpejtë i Haines u vlerësua si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, të cilët theksuan se vendi nuk ka kohë të presë.

Top Channel