Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot regjisorin dhe skenaristin Dhimitër Anagnosti, në 85-vjetorin e tij.
Në fjalimin e tij, presidenti Meta u shpreh se artisti e meriton këtë titull për kontributin e tij të veçante në kinematografinë shqiptare.
“Kineast e regjisor i mirënjohur, skenarist dhe krijues mendimtar, vepra e ndritur, që na ka lënë trashëgim mbetet frymëzim për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik, por dhe referencë e model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që e ngritën kulturën kombëtare në nivele të paarritura më parë.
Filmat e Anagnostit edhe pse të krijuara në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit të Tij dhe gjuhës së pasur filmike, përcjellin mesazhe universale nga një kohë në tjetrën, duke mbetur përherë aktualë”, shkruhet në njoftimin e presidentit në Facebook.
Fjalimi i kineastit është lexuar nga bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti:
“Diku dikur kam shkruar, në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shoh brenda vetes se sa jashtë saj. Juridikisht jam i pavdekshëm sepse ADN. ime udhëton në përjetësi përmes brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, më fëmijët e tyre me breza më tej e më tej, për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim.
Si të jetohet ajo më mirë në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional. Duhet të bëjmë kujdes në ndërtimin e jetës, ta ngremë kokën hera herës nga problemet e përditshme dhe të shikojmë yllin polar për të mos humbur drejtimin e rrugëtimit.
Në këtë vend, në këtë truall ku brezat kanë derdhur energji fizike, intelektuale, morale, shpirtërore, rrezatohet një energji misterioze e shumëllojshme, që ta bënë jetën më të lehtë, më të plotë, më me kuptim, energjia e memories historike.
Përshëndes në mënyrë të veçantë që na dha një surprizë në këtë gëzim, në 85-vjetorin e Dhimitrit, se për mua ngel 40 vjeç gjithmonë. Zotin President të Republikës e falënderoj pa masë dhe të gjithë iniciatorët.
Falënderoj pa masë të gjithë miqtë dhe artistë të shquar që janë sot në këtë sallë, se as Dhimitri nuk do të bënte ato vlera, artistë në të gjitha fushat, që kanë punuar dhe kanë bërë vlera të jashtëzakonshme, qoftë në art, në skenë dhe ekran, në pikturë. Këtu kam edhe një nga bregu gazetari, i cili është i biri i të famëshit, i yllit të polifonisë Lefter Çipës.
Pra ju falënderoj dy herë që në këtë kohë pandemie ju keni dhënë bashkë me Dhimitrin siç e tha kaq bukur Presidenti, sa mi shteroi ato fjalë me thënë të drejtën sepse është një titull shumë kuptimplotë për artistin ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’.
Siç tha Presidenti emblemë e kombit tonë dhe të gjithë ju bashkë dhe të gjithë artistët që edhe këtu nuk janë të gjithë, por ju jeni përfaqësuesit më të denjë të tyre, keni mbështetur dhe i keni forcuar dhe jeni në vazhdimësi të integritetit tonë”.
Top Channel