Pas Pfizer dhe Biontech, edhe Astrazeneca vonon vaksinat për BE-në

23/01/2021 13:43

Një prodhues i dytë vaksinash ka paralajmëruar për probleme me furnizimin për Bashkimin Evropian, duke shkaktuar frustrim në bllok.

AstraZeneca thotë se një problem prodhimi ka bërë që numri i dozave fillestare të vlefshme do të ishte më i ulët nga sa pritej. Ky problem i ri vjen pasi programet e imunizimit në disa vende janë ngadalësuar për shkak të reduktimit të furnizimeve me vaksinën e Pfizer dhe Biontech. Komisioneri evropian për shëndetësinë shprehu pakënaqësi për lajmin. Zyrtarët nuk kanë konfirmuar publikisht se sa do të jetë reduktimi, por një zyrtar i BE tha për agjencinë e lajmeve Reuteres se furnizimet do të reduktohen në 31 milionë doza në tre mujorin e parë të këtij viti, një zbritje kjo me 60 për qind.

Kompania e ilaçeve duhej ti siguronte rreth 80 milionë doza 27 vendeve të bllokut deri në mars. Vaksina e AstraZeneca-s e prodhuar me universitetin e Oxfordit, nuk është miratuar ende nga rregullatori i BE për ilaçet por pritet të marrë dritën e gjelbër në fund të këtij muaji duke hapur rrugën për fillimin e administrimit të saj. Një zëdhënës i Astrazeneca-s tha se vëllimi fillestar do të jetë më i ulët nga sa ishte thënë më parë pa dhënë detaje të mëtejshme. Lajmi për vonesat vjen në mesin e kritikave dhe frustrimit në të gjithë rajonin në lidhje me shpejtësinë e procesit të vaksinimit. Izraeli, emiratet e bashkuara arabe, Britania e Madhe dhe SHBA janë të gjithë para vendeve të BE për sa i takon dozave për frymë të dhëna deri më tani.

 

Top Channel