Për shkak të shifrave të larta të infektimeve me koronavirus, vendet e BE-së duan ta bëjnë sa më pak atraktiv udhëtimin.

Liderët e qeverive dhe shteteve të Bashkimit Europian ranë dakord dy ditë më parë që për shkak të variantit të ri të rrezikshëm të virusit, të mënjanohen sa më shumë udhëtimet, por kufijtë të mbeten të hapur për mallrat dhe personat që duhet të udhëtojnë në kufij për shkak të vendit të punës.

Gjermania ka dalë në krye duke ashpërsuar nga e diela rregullat e udhëtimit. Më shumë se 20 shtete janë shpallur zona me rrezik të lartë infektimi, ku vlejnë rregulla të ashpra. Sipas institutit Robert Koch, në listë bëjnë pjesë edhe disa vende të BE, si Estonia, Letonia,Lituania, Portugalia, Sllovenia, Spanja dhe Çekia. Por edhe vende të tjera jashtë bllokut, si SHBA, Egjipti, Izraeli, etj. Në të njëjtën listë janë po ashtu edhe vendet e Ballkanit si Shqipëria, Kosova, Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Personat nga këto vende duhet nga e diela të paraqesin me detyrim një test negativ të koronavirusit, jo më të vjetër se 48 orë dhe në varësi të landit gjerman ku shkojnë, mund ti nënshtrohen edhe rregullave të tjera, më të ashpra. Kjo pasi landet vendosin vetë rregullat e tyre.

Ndërkohë që udhëtarët që vijnë nga zonat me rrezikshmëri normale, në Gjermani, duhet të qëndrojnë 10 ditë në karantinë në hyrje. Më herët, Belgjika vendosi të ndalonte të gjithë udhëtimet jo të domosdoshme për në dhe nga vendi, duke filluar nga e mërkura, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e varianteve më infektuese të koronavirusit. Masa do të jetë në fuqi deri më 1 mars dhe aplikohet për udhëtimet nga toka, deti dhe ajri. Por nuk do të preken punëtorët ndërkufitarë ose ata që udhëtojnë për shkaqe shëndetësore ose familjare. Edhe Finlanda ndërkohë ka ashpërsuar rregullat për të ardhurit nga jashtë.

Top Channel