Covid në Britani, më vdekjeprurës/ Mutacioni shkaktar për numrin e lartë të viktimave

23/01/2021 15:55

Kryeministri britanik Boris Johnson ka paralajmëruar se virusi britanik është më vdekjeprurës se sa mendohej më parë.

Numri i lartë rekord i vdekjeve në Britani gjatë këtij muaji është pikërisht prej këtij mutacioni që më parë dihej që kishte edhe transmetueshmëri shumë më të lartë se varianti i pranverës së kaluar. Nga Londra njofton korrepondenti ynë Arben Manaj.

Habinë e numrave rekord që ka shënuar Britania, sidomos gjatë muajit janar, e ka shuar kryeministri Boris Johnson, sipas të cilit shkaku i një vdekshmërie kaq të lartë është mutacioni i zbuluar muaj më parë ne Britani,i cili ka një shkallë më të lartë vdekshmërie. Por Johnson shtoi se të gjitha provat aktuale  tregojnë se vaksinat që janë në treg aktualisht mbesin efektive si ndaj variantit të vjeter ashtu edhe këtij muatcioni te ri.

Megjithatë ka më pak siguri për efikasitetin e vaksinave ndaj mutacioneve të zbuluar në Afriken e Jugut dhe atij në Brazil.

Ne Britani, sipas të dhënave zyrtare, numri i të infektuarave me mutacionin e Afrikës së Jugut  shkon nga 44 veta deri ne 71 veta.

Britania e Madhe e cila ndodhet në lockdown-in e dytë dhe ku gjasat janë qe ai te vazhdojë më tepër sesa mendohej në fillim, gjatë javëve të fundit ka shënuar shifra te frikshme vdekshmërie, ku niveli më i ulët i tyre çdo ditë nuk ka rënë poshtë 1200 vetave dhe më i lartë 1860 të vdekur të njoftuar çdo ditë.

Në kushtet kur profesor Peter Horby, kryetar i grupit që këshillon qeverinë britanike thotë se është “thuajse e pamundur” të kontrollohen mutacionet ndërkombetare të koronavirusiut, gjasat janë që gjatë javës së ardhshme të ketë masa akoma më shtrënguese për udhëtaret që do të vijnë në Britani, të cilëve do mund t’u kërkohen të karantinohen nëpër hotelet rreth aeroporteve për dy javë ku shpenzimet privatisht të tyre, lehtësisht mund të shkojnë mbi 2-3 mijë stërlina për akomodim dhe ushqim për 14 ditë, një masë kjo qartazi e projektuar për të dekurajuar udhëtimin dhe përhapjen e mutacioneve ndërkombëtare në territorin britanik.

Top Channel