Zhurmat dhe era e fshatit/ Tani në Francë mbrohen me ligj

22/01/2021 20:40

Në Francë është miratuar ligji që mbron trashëgiminë e zonave të tij rurale përballë ankesave për zhurmat dhe aromat tipike të fshatit.

Senatorët miratuan ligjin, të kaluar në dhomën e ulët vitin e kaluar, që synon të përcaktojë dhe mbrojë trashëgiminë e fshatit francez.

E gjithë kjo erdhi pasi Franca kohët e fundit është përballur me një numër konfliktesh mes banorëve të hershëm të komuniteteve rurale dhe të sapoardhurve. Një rast emblematik ishte ai në të cilin u përfshi një gjel i quajtur Moris, që doli para një gjykate në korrik 2019, pasi fqinjët u ankuan për këngën e tij të mëngjesit.

Sidoqoftë, gjykata në Francën perëndimore, hodhi poshtë ankesat e fqinjëve të rinj për zhurmë dhe i urdhëroi ata të paguanin 1 mijë euro dëmshpërblim. Rasti u bë simbol i dallimeve në rritje mes Francës rurale dhe asaj urbane, pasi paditësit ishin në fakt nga qyteti dhe qëndronin në fshat në periudha të caktuara kohe.

“Ai është një gjel dhe gjelat këndojnë”, thoshte asokohe pronarja e Morisit. “Ky është fshat dhe ne duhet ta mbrojmë atë”. Edhe zyrtarët lokalë u përfshinë në debat duke thënë se traditat e fshatit francez duhen ruajtur. Kënga e gjelit sipas tyre është një traditë që duhet ruajtur po ashtu. Morisi tashmë është i ndjerë, por pronarja e tij e kujtoi atë në një postim në Twitter, ku përshëndeste miratimin e ligjit të ri. “Një fitore pas vdekjes për gjelin Moris, një simbol të jetës rurale!”, shkruante ajo.

Top Channel