Një skandal ka ndodhur në spitalin Rovereto të Italisë, ku punonjësve shëndetësor i kanë injektuar ujë fiziologjik (serum) në vend të vaksinës kundër Covid-19.
Ngjarja mund të ketë përfshirë 5 ose 6 persona, por nuk dihet konkretisht se sa mjekë dhe infermierë kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe kujt i është injektuar uji fiziologjik. Për ti dhënë një përgjigje kësaj situate, të gjithë punonjësit shëndetësor do të duhet të bëjnë testin serologjik, shkruajnë mediat italiane.
Të gjithë personat që janë vaksinuar atë ditë kanë marrë një telefonatë për të bërë testin e antitrupave. Në këtë mënyrë, do të kuptojnë se cfarë ka ndodhur me vaksinën.
Mediat lokale janë përpjekur që të kontaktojnë me kompaninë e shëndetësisë për të mësuar se çfarë ka ndodhur, por nuk kanë asnjë informacion. Sipas Il Dolomiti, ngjarja ka ndodhur më 15 Janar, po mbetet e paqartë nëse është përsëritur ditë të tjera.
Nuk dihet ende nëse autoritetet do të hetojnë për këtë skandal dhe për ngatërrimin e dozave të vaksinës kundër Covid-19 me ujin fiziologjik.
Top Channel