Priza hiqet gabimisht nga frigoriferi, hidhen në kosh 1.900 doza të vaksinës Moderna

22/01/2021 16:37

Në SHBA, 1.900 doza të vaksinës Moderna u bënë të papërdorshme pasi një punonjës sanitar hoqi gabimisht prizën e frigoriferit.

Ngjarja ka ndodhur me 19 janar në kampusin Jamaika Plain të qendrës më të madhe shëndetësore në qytetin Boston në Massachusetts.

Eksperti i sistemit të shëndetit publik në Boston, Kyle Toto, në një deklaratë tha se frigoriferi ndodhej në një vend të sigurt dhe se kishte sistem alarmi dhe se po hetojnë përse nuk ka funksionuar alarmi pasi priza u hoq gabimisht gjatë pastrimit.

Toto është shprehur se pas heqjes së prizës u bënë të papërdorshme 1.900 doza të vaksinës Moderna të cilat ndodheshin në frigorifer.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Moderna i dërgon vaksinat në komplekse në gjendje të ngrirë 20 gradë nën zero dhe se ato mund të ruhen deri në 30 ditë duke u ngrirë 40 gradë nën zero.

Top Channel