Lideri i Iranit bllokohet përfundimisht nga Twitter pas kërcënimit me vdekje ndaj Donald Trump

22/01/2021 19:40

Rrjeti social Twitter ka bllokuar sot përfundimisht llogarinë e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Khamenei pas një postimi që ishte në dukje kërcënim me vdekje ndaj presidentit të sapo larguar të SHBA Donald Trump.

Khamanei kishte postuar më herët një foto-montazh ku shihej ish-presidenti amerikan Donald Trump duke luajtur golf, nën hijen e një droni luftarak në qiell, ndërsa një mesazh e paralajmëronte atë për “hakmarrje të shpejtë”.

Një zëdhënës i rrjetit Twitter tha se postimi kishte thyer rregullat e kompanisë për “politikat e sjelljes abuzive,” dhe se kjo llogari kishte shkelur seksionin e rrjetit për “manipulim, mesazhe të padëshiruara ‘spam’ dhe krijimin e llogarive të rreme.”

Ndërkohë disa llogari të tjera të Ajatollah Ali Khamenei mbeten aktive në rrjet.

Vendimi vjen pasi agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim, dha disa sinjalizime të qarta për armiqësinë me të cilën republika islamike e konsideron presidencën e sapombyllur të Trump, duke postuar të njëjtin imazh dje në faqen e saj.

Imazhi i supozuar i hakmarrjes, i referohet stilit të preferuar për vrasjen e Trump, në kundërpërgjigje të vrasjes me dron nga SHBA, të kreut të Gardës Revolucionare iraniane Kasem Soleimani janarin e shkuar.

FOTO GALERI
1/3
Liderit suprem i Iranit, Ajatollah Khamenei postoi në dukje kërcënim me vdekje ndaj Donald Trump.

Top Channel