Hungaria miraton vaksinën ruse/ Bëhet vendi i parë në Bashkimin Europian që jep miratimin paraprak

22/01/2021 02:00

Hungaria është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që jep miratimin paraprak për vaksinën ruse anti covid, Sputnik V.

Të enjten, shefi i stafit i kryeministrit Viktor Orban, konfirmoi se si vaksina ruse ashtu edhe ajo e Oksfordit dhe Astra Zenekës, kanë marrë dritën jeshile nga autoritetet e shëndetësisë.

Ministri i jashtëm hungarez ka udhëtuar drejt Moskës për bisedime të mëtejshme në lidhje me furnizimin dhe shpërndarjen e vaksinës. Rezultatet paraprake nga testimet e vaksinës Sputnik, kanë treguar rezultate premtuese.

Zyrtarë hungarezë po ashtu kanë vizituar edhe Pekinin për bisedime me autoritetet kineze në lidhje me miratimin dhe shpërndarjen e menjëhershme të një milionë dozave të vaksinës Sinopharm, që përdoret aktualisht në Serbinë fqinje. Kjo e fundit, kishte thënë muajin e kaluar se testimet e fazës së tretë të saj kishin treguar se vaksina ishte 79 për qind efikase, përqindje kjo më e ulët se ajo e Pfizer dhe Modernës.

Por, kryeministri hungarez ka thënë se e vetmja mënyrë që vendi të plotësojë kërkesat për vaksinim, duke patur parasysh furnizimin e ngadaltë me vaksinat e Pfizer dhe Biontech, është duke blerë nga Rusia dhe Kina.

Top Channel