Dortmundi “lan” duart me titullin, Glabach e mposht dhe e nxjerr jashtë zonës Champions

22/01/2021 23:39

Erling Haaland nuk mjafton për Borussian e Dortmundit. Pas Bayern Munich, Borussia Monchengladbach mpsht edhe Borussian e Dortmundit, duke u konfirmuar si skuadra e momentit në Gjermani.

Në Borussia Park, skuadra e trajnerit Marko Rose fitoi me rezultatin 4-2 në një ndeshje ku e kërkoi me ngulm fitoren. Pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2 me Nico Elvedin që kaloi shumë shpejt në epërsi Gladbach por nuk vonoi shumë dhe verdhezinjtë jo vetëm që barazuan shifrat me Haaland por kaluan edhe në epërsi falë sulmuesit norvegjez që realizoi dy gola të bukur duke u ngjitur në kuotën e 14 golave në listën e golashënuesve.

Megjithatë Nico Elvedi shënoi sërish në të 32-ën duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim.

Në pjesën e dytë algjeriani Bensebaini dhe francezi Marcus Thuram i dhanë një fitore të merituar Borussia Monchengladbach që falë këtij suksesi u ngjit në vendin e 4-t të Bundesligas me 31 pikë duke lënë pas pikërisht verdhezinjtë e Dortmundit që tashmë janë edhe jashtë zonës Champions pasi për titull kampion vështirë se mund të flitet më.

Top Channel