Britani/ Qëllohet për vdekje 15-vjeçari, autorët ia mbathin me makinë dhe pësojnë aksident

22/01/2021 11:40

Britani – Një 15-vjeçar është qëlluar për vdekje nga një grup të rinjsh në Birmingham, ngjarje që ka alarmuar policinë dhe personat që dëgjuan të shtënat.

Të shtënat ndodhën pasditen e së enjtes në zonën e Handsworth ndërsa autorët ia mbathën me një Ford. Policia njoftoi se një adoleshent, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, u dërgua me urgjencë në spital por nuk arriti ti mbijetonte plagëve të rënda.

Të dyshuarit, të cilët kishin edhe thika, u detyruan që t’ia mbathnin me këmbë pasi u përplasën me një shtëpi pranë vendit ku ndodhi krimi. Oficerët rrethuan menjëherë zonën dhe po vijojnë hetimin për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Inspektori i policisë së West Midlands, Alastair Orencas tha: “Ne nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të gjetur personat përgjegjës dhe kërkoj të na kontakojë kushdo që ka informacion. Familja e djalit përjetoi tronditje të tmerrshme dhe ne kemi dërguar specialistët për ti qëndruar pranë”.

Ende nuk është bërë asnjë arrestim për këtë ngjarje.

Top Channel