Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka komentuar takimin e tij me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim ditën e sotme.

Ai tha se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për  të gjitha institucionet e drejtësisë në mënyrë që reforma në drejtësi të japë rezultatet që qytetarët shqiptarë presin.

Soreca thekson se sigurimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese ishte një arritje e madhe për vendin edhe pse shumë sfiduese.

“Unë sot u takova me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë. Unë i falënderova ata që morën një sfidë kaq të vështirë në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Urova më të mirën për punën e tyre në çështjet e rëndësishme që Gjykata do të shqyrtojë së shpejti. Sigurimi i funksionalitetit të Gjykatës ishte një arritje e madhe, e bërë e mundur nga angazhimi politik i Presidentit dhe Parlamentit, dhe puna efektive e JAC. Shqipëria tani ka bërë një hap kritik drejt IGC-së së parë. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë për  të gjitha institucionet e drejtësisë në mënyrë që reforma në drejtësi të japë rezultatet që qytetarët shqiptarë presin”, tha Soreca.

Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në fund të vitit 2021 me anëtarët e rinj Altin Binaj, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja. Më herë kryediplomatja amerikane, Kim  është takuar me kryetaren e Kushtetueses, Vitore Tushën.

 

Top Channel