Sfidat e Joe Biden president, rrugën përpara nuk e ka të sheshtë!

21/01/2021 11:22

Për afro gjysmë shekulli, Joe Biden ka qenë një figurë e rëndësishme e Partisë Demokratë në Shtetet e Bashkuara.

Tashmë, në përpjekjen e vet të tretë arriti të sigurojë presidencën, edhe pse 78 vitet mbi supe e bëjnë presidentin më të moshuar amerikan në historinë e vendit. Ceremonia madhështore e inaugurimit, që për shkak të pandemisë, ishte sërish më e kufizuar, nuk i fsheh megjithatë sfidat serioze me të cilat presidenti I ri përballet me të marrë drejtimin e një vendi më të përçarë se kurrë.

Që në fillim, Biden do të përballet me krizën e rëndë të koronavirusit  që deri tani ka shkaktuar mbi 400,000 të vdekur në SHBA, ritmet e ngadalta të vaksinimit dhe goditjen që ka marrë ekonomia amerikan. Biden ka premtuar ta shtojë ritmin e vaksinimeve duke bërë 100 milionë imunizime brenda 100 ditëve të para të administratës së tij dhe duke miratuar ndihma më të mëdha financiare për të gjithë amerikanët, me përjashtim të atyre me të ardhura të larta.

Në skenën globale, thotë se SHBA do të rikthehet në Paktin e Parisit për klimën nga e cila u tërhoq Presidenti Trump e pritet të veprojë ndryshe në marrëdhëniet me sundimtarë autoritarë në Rusi, Kinë, Korenë e Veriut. Nderkohe ka ofruar dhe propozime të hollësishme për të çuar përpara barazinë ekonomike racore dhe reformuar sistemit e drejtësisë penale. Por ai ndeshet dhe me pengesa në realizimin e agjendës së tij legjislative, pasi të dyja Dhomat e Kongresit janë të ndara në linja partiake.

Partia Demokrate e Biden ka një epërsi të ngushtë mbi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Senati është i ndarë 50 me 50. Zonja Kamala Harris, e cila bëri betimin si nënpresidente, do të votojë në raste kur vota në Senat është e ndarë në linja partiake, barazim 50 me 50.

Top Channel