Rruga drejt presidencës/ Biden, njeriu që u ringrit mbi tragjeditë familjare

21/01/2021 01:37

Ish-zëvendësi i Barak Obamës, tani vetë president, ka premtuar që nga kreu i herës se do të punojë për të bashkuar Amerikën në këtë kohë sfiduese. Joe Biden, 78 vjeçar, ka shërbyer për gjashtë mandate si senator nga Delaware, i zgjedhur së pari në 1972 dhe ishte zëvendëspresidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara.

Ai ka shërbyer në poste publike për rreth gjysmë shekulli dhe nënvizon eksperiencën e tij të gjatë në përpjekje për ta prezantuar veten si një njeri i qëndrueshëm dhe i palëkundur në një botë të rrezikshme dhe të pasigurt.

Ai e mundi Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, pavarësisht se u deshën ditë të tëra që ai të mund të shpallte fitoren. Por pas, Biden ka edhe një histori tragjike. Menjëherë pas zgjedhjes së tij për herë të parë në Senat, gruaja dhe vajza e tij humbën jetën në një aksident rrugor, ku dy djemtë e tij mbetën të lënduar.

Ai u martua sërish me Jill Biden, një mësuese të përkushtuar që ka thënë më herët se edhe kur të veshë petkat e zonjës së parë, nuk do të heqë dorë nga mësimdhënia. Biden ka bërë dy operacione në tru për shkak të aneurizmit. Në vitin 2015, kur ishte zëvendëspresident, djali i tij i madh Bo vdiq nga kanceri. Tani në moshën 78 vjeç, presidenti më i vjetër i zgjedhur në historinë amerikane, ka përveshur mëngët për sfidën më të vështirë politike të tij, unifikimin e një vendi të ndarë dhe çuarjen përpara të tij.

Top Channel