Qetësohen zhurmat për Jack Ma/ Miliarderi kinez shfaqet në publik pas kritikave ndaj qeverisë

20/01/2021 19:38

Manjati kinez i tregtisë elektronike Jack Ma është shfaqur së fundmi në një video online, duke i dhënë fund zhurmave për ‘zhdukjen’ e tij misterioze, pak pasi kishte kritikuar politikat e biznesit të qeverisë së Pekinit.

Shumë trembeshin për jetën e tij pasi Ma kishte shprehur rezerva për sistemin regullator të biznesit në një forum në Shanghai.

Kreu i grupit gjigand Alibaba kishte folur kundër zyrtarëve të regjimit komunist në fjalimin e 24 tetorit.

Vetëm sot Ma, i cili raportohet se ka një pasuri prej $40 milionë, është shfaqur në video-mesazh ku foli për mësuesit që punojnë në zonat rurale të Kinës.

Në mesazhin e tij prej 50-sekondash, pjesë e ceremonisë së çmimeve të organizatës së tij të bamirësisë, Ma fliste nga një dhomë me mure gri dhe një pikturë me motive florale.

Me shfaqjen e parë publike të Ma në të paktën dy muaj, aksionet e grupit të tij Alibaba u rritën me të paktën 8% në bursën e Hong Kong.

“Rishfaqja e Jack Ma ka qetësuar shumë investitorë pas zhurmave të përhapura nga mediat, duke shtuar investimet në aksionet e tij që ishin dobësuar gjatë kësaj kohe”, tha eksperti i financave Steven Leung, në Hong Kong.

Ma është një nga njerëzit më të pasur të Kinës dhe njihet për punën e tij me OKB dhe organizata globale bamirësie.

FOTO GALERI
1/5
Ma është shfaqur në video-mesazh ku foli për mësuesit që punojnë në zonat rurale të Kinës.

Top Channel