“Janari i përgjakshëm” pika e kthesës së pavarësisë së Azerbajxhanit

20/01/2021 14:11

Në Azerbajxhan përkujtohen viktimat e masakrës që ushtria sovjetike kreu pa bërë dallim ndaj grave dhe fëmijëve në kryeqytetin Baku dhe qytetet e tjera më 20 janar të vitit 1990, shkruan Anadolu Agency (AA).

Masakra e cila në histori njihet si “Janari i përgjakshëm” dhe e cila pavarësisht viteve që kanë kaluar ruan ende freskinë e dhimbjes në zemrën e të gjithë azerbajxhanasve, është bërë një pikë kthese e rëndësishme në fitoren e pavarësisë pas robërisë sovjetike që zgjati 70 vite.

Edhe problemi i Malësisë së Karabakut qëndron në bazën e ngjarjeve të “Janarit të përgjakshëm” i cili përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik dhe i cili ndezi ndjenjën për pavarësi tek azerbajxhanasit.

Në fund të viteve 1980 armenët rritën aktivitetet e tyre për shkëputjen e Malësisë së Karabakut nga Azerbajxhani dhe në 1989 Këshilli i Lartë i Republikës Sovjetike të Armenisë mori vendimin për bashkimin e Malësisë së Karabakut me Armeninë.

Qytetarët e Azerbajxhanit këtë vendim e pritën me reagim dhe zhvilluan tubime me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve në Baku. Populli u dynd në sheshin Azadliq të Bakusë për të treguar reagimin e tij kundër qeverisë sovjetike dhe kërkesave në rritje të armenëve për territor.

Tubimet që vazhduan pa ndërprerë shqetësuan qeverinë sovjetike e cila mori vendimin për dërgimin e ushtarëve në Baku. Ndërsa populli mbylli rrugët e hyrjes në qytet dhe përpara njësive ushtarake në Baku.

Fillimisht më 19 janar 1990 shërbimet inteligjente sovjetike shpërthyen furnizuesin e energjisë elektrike të televizionit të Azerbajxhanit. Ndërsa në orët e natës ushtria sovjetike me 26 mijë persona hyri në Baku nga 5 drejtime me automjete të blinduara.

Ushtria sovjetike hyri në qytet duke lëshuar plumba ndaj civilëve të paarmatosur që tentuan ta pengojnë. Tanket dhe mjetet e rënda të blinduara vërshuan mbi njerëzit si dhe u hap zjarr ndaj ambulancave dhe autobusëve të udhëtarëve. Atë natë në Baku humbën jetën 130 civilë.

Masakrën e saj ushtria sovjetike e vazhdoi edhe në qytete të tjera si Neftçala dhe Lenkeran dhe gjithsej 147 civilë u bënë viktima të masakrës së 20 janarit. Gjatë ngjarjeve u plagosën 744 persona ndërsa rreth 400 të tjerë u arrestuan nga ushtria sovjetike.

Pavarësisht se në Baku u shpall gjendje e jashtëzakonshme nga qeveria sovjetike dhe pavarësisht se qyteti u vendos nën kontrollin e plotë nga ushtria sovjetike, populli doli sërish në rrugë dhe filloi punime për varrosjen e dëshmorëve.

Dëshmorët u varrosën në ‘Dagustu Park‘ në të cilin varroseshin azerbajxhanasit që kishin humbur jetën si pasojë e sulmeve armene më 31 mars 1918 dhe i cili më pas në periudhën sovjetike u shndërrua në një park. Trupat u mblodhën në ‘Sheshin Azadliq‘ dhe nga këtu u varrosën në varrezën e dëshmorëve tani të emërtuar si ‘Şehidler Xiayabanı‘ pasi u sollën mbi shpatullat e njerëzve.

Masakra e “Janarit të përgjakshëm” tronditi plotësisht besimin e azerbajxhanasve ndaj qeverisë sovjetike dhe filloi procesi që shkoi drejt pavarësisë së vendit.

Azerbajxhanasit prej 31 vitesh më 20 janar, me karafila në duar të cilat simbolizojnë viktimat e 20 janarit dynden në varrezat e dëshmorëve dhe tregojnë mirënjohjen e tyre ndaj atyre që kanë ndezur zjarrin e pavarësisë./Marrë nga AA/

Top Channel