Ndodh për herë të parë/ Shërbime konsullore amerikane në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor, reagime të forta nga të dyja palët
Bibla gjigade me kryq kelt me të cilën Joe Biden bëri sot betimin, është një trashëgimi e familjes së tij që daton prej 130 vitesh.
Libri me kapak lëkure, 12 cm i trashë, ka qenë në familjen e Biden që prej të paktën 1893.
“Është një trashëgimi e familjes Biden dhe gjithmonë e pranishme në eventet e rëndësishme”, tha muajin e kaluar presidenti i ri në një intervistë me Stephen Colbert.
Biden është besimtar praktikues katolik dhe të njëjtën Bibël i ka përdorur gjatë gjithë betimeve të karrierës politike, përfshirë dhe dy betime të tjera si zv. president.
Për herë të parë ai e ka përdorur atë kur u betua si senator në 1973 kur ishte vetëm 30 vjeç.
Asokohe Biden bëri betimin në klinikën shëndetësore Wilmington në Delaware, ku djemtë e tij Beau e Hunter po trajtoheshin për aksidentin rrugor, në të cilin gjeti vdekjen gruaja e tij e parë Neilia dhe bija e tyre e sapolindur Naomi.
Djali i ndjerë i Biden, Beau, i cili vdiq në 2015 nga kanceri në tru, gjithashtu e ka përdorur Biblën familjare kur u betua si prokuror i përgjithshëm i Delaware në 2007.

Libri është një prodhim Douay & Rheims i shekullit të 19-të. Arsyeja përse është aq i madh, është sepse përmban një koment të thelluar nga prifti e studiuesi i njohur biblik britanik, At George Leo Haydock.
Përdorimi i librit të shenjtë nga familja Biden thekson rolin e rëndësishëm që besimi ka në jetën e tyre personale dhe profesionale, teksa presidenti i ri është vetëm i dyti si katolik praktikues në historinë e SHBA.
Biden ndjek traditën e shumë presidentëve të tjerë amerikanë që kanë përdorur librat e familjeve të tyre për të bërë betimin në zyrë, siç ishin Ronald Reagan e Franklin D. Roosevelt.
Disa prej tyre madje gjatë betimit i kanë mbajtur Biblat të hapura në faqet e shkrimeve më domethënëse për ceremoninë.
Bill Clinton, për shembull kishte zgjedhur shkrimin biblik të Isaiah 58:12 – ku të devotshmit nxiten të bëhen “riparues të shkeljes”, kur u betua për mandatin e dytë në zyrë, që u shënua nga përçarjet me konservatorët.
Presidenti i parë i SHBA besimtar i devotshëm katolik ishte John F. Kennedy, i cili në 1961 përdori për betimin librin e tij familjar me kryq gjigand përpara, të ngjashëm me Biblën e Biden.
Kushtetuta e SHBA nuk kërkon tekst të veçantë për ceremoninë e betimit por specifikon vetëm fjalët e betimit të presidentit.
Teksti nuk përfshin fjalët ‘prandaj Zot më ndihmo,’ por çdo president modern i ka thënë ato bashkë me betimin.
Tradita e Biblës daton që prj lindjes së presidencës së SHBA, kur presidenti i parë George Washington në 1789 përdori Biblën e Lozhës Masonike.
Bibla e Washington është përdoru më pas për betimet e Warren G. Harding, Dwight D. Eisenhower, Jimmy Carter e George H.W. Bush.
Top Channel