Policia e Tiranës ka kërkuar ditën e sotme rifillimin e hetimeve për 21 Janarin me një letër-kërkesë drejtuar prokurorisë.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha thanë se policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku i kërkohet ri-ekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.

Në letër-kërkesë kërkohet ri-ekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.

Kërkohet të kryhet ri-ekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishte në shërbim në datën 21 janar. Gjithashtu në letërkërkesë kërkohet të ripyeten të afër të viktimave dhe dëshmitarë.

Pasi mbeti i plagosur gjatë protestës, Aleks Nika u dërgua për mjekun në spitalin “Bakirkoy Ehitim ve Arastirma Hastanesi” të ndodhur në Stamboll. Por në datën 5 shkurt 2011 ai ndërroi jetë.

Akti i ekspertimit datë 5 maj 2014  vërteton  se Nika u qëllua me një plumb. Kjo predhë është ekzaminuar edhe në laboratorin e FBI Virginia ku thuhet se ka dalë nga një pushkë me 6 viaska, por predha nuk mundi të identifikohet nëse është qitur nga tytat e pistoletave të dërguara për ekzaminim apo nga tytat e tjera. Predha e gjetur në trupin e Nikës është e kalibrit 9 mm, ndërsa policia thotë se është qitur nga një armë zjarri Mp5.

Të kryhet rikqyrje e e pamjeve filmike të fokusuar kryesisht tek Zuver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe të plagosurit.

Sipas letër-kërkesës, kërkohet me anë të një shkrese IPSH-së nëse ka apo jo laborator për ekzaminimin kriminalistik në vendet e BE që të ekzaminohet predha e gjetur në trupin e Aleks Nikës.

Tre oficerët  e policisë pranë drejtorisë vendore relatojnë në kërkesën për rifillim hetimesh duke thënë se çështja ishte e pezulluar.

Pas veçimit dhe ndarjes së procedimit numër 285/1 që është dërguar në gjykatë më herët ndaj Ndrea Prendit nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese  dhe Agim Llupos.

Ndërkohë në relacion thuhet se u vazhduan hetimet për të përcaktuar  se kush ishte personi që vrau Aleks Nikën dhe plagosi 3 të tjerët.

Nga Policia e Tiranës kërkohet gjithashtu rifillim hetimesh për vrasjen  e një qytetari tjetër që ishte në protestën e 21 janarit, Hekuran Deda.

Ngjarja e 21 janarit  2011:

Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011 është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Protestues të shumtë në nxitjen nga PS-ja, në atë kohë në opozitë iu drejtuan kryeministrisë duke kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria.

Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nga aty ku u qëllua ndaj 4 qytetarëve që mbetën të vdekur ishte nën komandën e Ndrea Prendi.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.

Ndërkohë që në fillim të nëntorit të 2018-ës dosja u rikthye sërish në gjykatë. Garda e Republikës rikthen procesin e 21 Janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agim Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milion euro që garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika e 21 Janarit 2011 u shpallën “Dëshmorë të Atdheu”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA