Plani i Joe Biden për emigrantët, një rrugë 8 vjeçare drejt arritjes së shtetësisë

19/01/2021 12:43

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, planifikon të shpalosë një projektligj gjithëpërfshirës të emigracionit në ditën e parë të administratës së tij, duke shpresuar të sigurojë një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë për rreth 11 milionë njerëz që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa status ligjor, një ndryshim masiv nga politikat e ashpra të të imigracionit të administratës së presidentit Trump. 

Legjislacioni e vë Biden në rrugë për të përmbushur një premtim të madh fushate të rëndësishëm për votuesit latino-amerikan dhe komunitetet e tjera të emigrantëve pas katër vitesh të politikave kufizuese të presidentit Donald Trump dhe dëbimeve masive. Ai siguron një nga rrugët më të shpejta drejt shtetësisë për ata që jetojnë pa status ligjor vitet e fundit, por nuk arrin të përfshijë një kompromis rreth rritjes së sigurisë së kufirit të favorizuar nga shumë republikanë, duke vënë në dyshim miratimin në Kongres. Sipas një personi të njohur me legjislacionin, që foli me kusht që të mos identifikohet, projektligji që pritet të ketë qindra faqe, do të paraqitet pasi Biden të bëjë betimin të mërkurën.

Sipas legjislacionit, ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara që nga 1 janari i vitit 2021 pa status ligjor, do të kishin një rrugë pesë-vjeçare drejt statusit të përkohshëm ligjor, ose një leje të përhershme qëndrimi (Green Card), nëse kalojnë kontrollet e sigurisë, paguajnë taksa dhe përmbushin kërkesat tjera themelore. Prej andej është një rrugë tre-vjeçare drejt natyralizimit, nëse synojnë shtetësinë. Për disa emigrantë, procesi do të ishte më i shpejtë. Të ashtuquajturit ëndërrimtarë, (dreamers) të rinjtë që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme si fëmijë, si dhe punëtorët e bujqësisë dhe njerëzit me status të përkohshëm mbrojtës, mund të kualifikohen menjëherë për Green Card nëse janë duke punuar, janë duke u shkolluar, apo plotësojnë kërkesa të tjera. Projekt-ligji nuk është aq megjithatë gjithëpërfshirës sa rishikimi i fundit i madh i imigracionit i propozuar në kohën kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës së zotit Barack Obama.

Top Channel