Japonia njoftoi se vaksinimi nuk është kusht për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në korrik-shtator të këtij viti, të cilat u shtynë vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne jemi duke shqyrtuar masat gjithëpërfshirëse për të mbajtur lojëra të sigurta, madje edhe pa i bërë vaksinat kusht”, tha në një konferencë për media Katsunobu Kato, Sekretari Kryesor i Kabinetit të qeverisë japoneze.

Japonia ishte caktuar si vend organizator i Olimpiadës së vitit të kaluar, por lojërat më të mëdha në botë u shtynë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Qeveria e Kryeministrit Yoshihide Suga është e vendosur të vazhdojë me Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike këtë vit që do të mbahen nga fundi i korrikut deri në fillim të shtatorit.

Sipas një sondazhi të kryer nga “Kyodo News”, thuhet se të paktën 80 për qind e të anketuarve sërish kërkonin shtyrjen e lojërave.

Javën e kaluar, kreu i komitetit organizues të Lojërave Olimpike të Tokios tha se është “absolutisht e pamundur” të shtyhet Lojërat Olimpike Verore të këtij viti edhe përkundër koronavirusit të ri.

“Të pasurit edhe një ndjenjë të vogël të pasigurisë ndikon në gjithçka. E tëra që mund të them është se ne do të ecim përpara me përgatitjet tona”, tha Yoshiro Mori.

Lojërat Olimpike të Tokios është vlerësuar të kushtojnë deri në 15,8 miliardë dollarë.

Infeksionet në rritje

Në muajt e fundit, Japonia ka shënuar rritje të infeksioneve të COVID-19, kryesisht në kryeqytetin Tokio, ku janë planifikuar të zhvillohen lojërat.

Qeveria e kryeministrit Suga vendosi edhe një herë gjendje të jashtëzakonshme në disa provinca për të lejuar autoritetet qendrore dhe lokale të trajtojnë pandeminë.

Tokio raportoi sot 1.240 raste të reja të koronavirusit, që është e shtata ditë radhazi që regjistrohen mbi 1 mijë raste. Me këtë numri i përgjithshëm i rasteve në kryeqytet arriti në 87.914.

Qeveria planifikon të fillojë vaksinimet deri në fund të shkurtit duke filluar me punëtorët mjekësorë dhe të moshuarit.

“Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të siguruar që vaksinat e sigurta dhe efektive mund t’u jepen sa më shumë njerëzve që të jetë e mundur, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Taro Kono, i cili u emërua dje si udhëheqës i betejës së Japonisë kundër koronavirusit.

Ai gjithashtu shërben si ministër i reformës administrative në qeverinë e udhëhequr nga Suga.

Japonia ka nënshkruar marrëveshje me Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna për të marrë vaksina për banorët e saj deri në gjysmën e parë të këtij viti./AA/

Top Channel