Ja kur do t’i ketë gati listat opozita/ Apeli i Dashamir Shehit për të përfshirë në aleancë Topallin, Patozin por edhe sindikatat

19/01/2021 17:25

Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, i ftuar në Top Talk i bën thirrje të gjithë drejtuesve të partive të djathta të bashkohen për të rrëzuar qeverinë Rama që rrezikon demokracinë, sipas tij.

Listat e opozitës së bashkuar nuk janë bërë ende përgjigje. Por, Dashamir Shehi ka një përgjigje: “Disa thonë këtë javë, por maksimumi javës tjetër do të jenë gati, shqiptarët do të mund të njihen me kandidatët”.

Shehi e sheh marrëveshjen mes partive të djathta si domosdoshmëri, madje pranon edhe bashkëpunimin me LSI-në. “Unë quaj të nevojshëm çfarëdo lloj force që kontribuon në largimin e qeverisë Rama. Thirrjen ia adresoj të gjithë palëve. Unë them që në një marrëveshje ne duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit, të bashkëpunojmë.

Të gjitha grupet e reja që kanë dalë nga PD, siç kam dalë unë para 20 vitesh, ia vlen të bashkohen sepse vendi është në krizë të madhe. Ky mund të jetë teatri i fundit që luhet me demokracinë shqiptare dhe unë gjykoj që vërtet mund të mund të mos jemi të kënaqur me Bashës por një përsëritje e mandatit të Ramës do të thotë vdekje klinike e demokracisë në Shqipëri. Këtë do t’i kërkoja kolegëve opozitar të mendojnë këtë punë, që do të shërbejnë për rrëzimin e një qeverie që ka një rrezik shumë të lartë”.

Por apelin e tij, kryetari i LZHK e shtrin përtej partive politike: “Po i bëj edhe njëherë ftesë, jo vetëm PD, hajde të bëjmë një front të madh. Përtej partive, do të nxisja sindikatat, intelektualët, opinionbërësit. Të gjithë duhet ta kuptojnë rrezikun që i kanoset demokracisë në Shqipëri dhe duhet të bashkohen në interes të vendit”.

Koalicioni opozitar do të ketë një kandidat të përbashkët për kryeministrin, kreun Partisë demokratike, Lulzim Bashën. Sipas Shehut, Basha është kandidati i duhur, “Basha është njeri serioz, qytetar i mirë. Është i mjaftueshëm për të udhëhequr, ne na kanë lodhur “heronjtë” e këtyre 30 viteve. Na duhet një njeri normal dhe Lulzim Basha është njeri normal”.

Sipas tij, nuk është koha për inate, kështu që propozon idenë e një koalicioni të madh “me PD-në në krye nga Topi te Topalli”, duke lënë mënjanë çdo mosmarrëveshje të mëparshme.

Top Channel