Milani kërkon pasuesin e Theos në Spanjë, nis negociatat me anësorin e Barçës

18/01/2021 23:56

Theo Hernandez vijon të konfirmohet si një futbollist i nivelit të lartë me paraqitjet e tij mjaft të mira për të dytin sezon radhazi me fanellën e Milanit, ndaj edhe nuk u ka shpëtuar syve të drejtuesve të skuadrave të mëdha europiane.

Në verë pritet të mbrrijnë oferta të shumta për djaloshin francez, ndaj te Milani nuk duan të zihen të papërgatitur dhe kanë nisur punën që tani për të sjellë nën urdhrat e Stefano Piolit një tjetër mbrojtës të majtë.

Emri në listën e dyshes Maldini-Massara është ai i Junior Firpos, mbrojtës i talentuar i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, por që ka mbetur në hijen e Jordi Albës dhe po kërkon një tjetër klub për të kompletuar rritjen e tij.

Edhe Barcelona ka nevojë për të arktuar para kesh, ndaj është e predispozuar të pranojë ofertat në drejtim të anësorit 23-vjeçar, kartoni i të cilit vlerësohet rreth 20 milionë euro, një shifër kjo lehtësisht e përballueshme nga Milani.

Mediat konfirmojnë se mes klubeve janë vendosur kontaktet e para, por gjithçka ka mbetur pezull, pasi presidenti i përkohshm i Barcelonës nuk dëshiron të firmosë shitjen përfundimtare të Firpos.

Pikërisht për këtë arsye po negociohet për një huazim 6-mujor të spanjollit, me të drejtë blerjeje në verë, por gjithmonë nëse do të japë miratimin presidenti i ardhshëm i katalanëve, që pritet të marrë mandatin në muajin mars.

Top Channel