Kinë/ Prej një jave të bllokuar nën tokë, minatorët japin shenja jete: Mos ndaloni kërkimet

18/01/2021 11:25

Kinë – 12 minatorët që mbetën të bllokuar nëntokë pas shpërthimit të minierës së arit ku po ndërtonin, kanë shfaqur shenja jete.

Rreth një javë pas ngjarjes së rëndë, ata ia kanë dalë që të dërgojnë mesazhin: “Mos ndaloni kërkimet”, raporton BBC. Fati i 10 minatorëve të tjerë të zhdukur në minierën e arit mbetet i paqartë. Aksidente të tilla në Kinë nuk janë të pazakonta dhe ndodhin për shkak të kushteve të dobëta të sigurisë në punë.

Kujtojmë se më 10 janar, 22 minatorët u bllokuan në minierën e Hushanit në provincën lindore të Shandong pas një shpërthimi që dëmtoi daljen dhe sistemet e komunikimit me minierën, e cila ishte në ndërtim e sipër. Personat që po zhvillojnë operacionet e kërkim-shpëtimit ia kanë dalë që të kontaktojnë me minatorët përmes një hapësire tepër të ngushtë. Nëpërmjet saj, arritën të kalojnë ushqim, ilaçe, letra dhe lapsa për minatorët.

12 minatorët kanë kërkuar ilaçe qetësuese dhe anti-inflamatorë pasi kanë plagë si pasojë e shpërthimit. Gjithashtu raportuan se në minierë kishte nivele të larta të ujit nëntokësor. Mediat kineze raportojnë se ekipet e kërkim-shpëtimit besojnë se janë rreth 600 metra larg minatorëve dhe shpresojnë se mund ti evakuojnë shumë shpejt.

Top Channel