Pas Leverkusen, ndalen edhe Dortmund e Leipzig, “asist” Bayernit për t’u shkëputur në krye!

17/01/2021 00:52

Borussia e Dortmundit dhe Leipzig gabuan në ndeshjet e javës së 16-të duke mos shkuar më shumë se barazimi dhe duke i dhënë një asist Bayernit që nëse fiton të dielën ndaj Freiburg mund të shkëputet në krye.

Verdhezinjtë nuk morën dot fitoren e 3-të rresht pasi ngecën në Signal Iduna Park përballë Mainz me rezultatin 1-1. Fillimisht pas vetëm 2 minutash lojë Dortmundit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje të Erling Haaland.

Në minutën e 57-të ndërkohë Mainz bëri surprizën teksa kaloi në avantazh me Oztunalin. Por në të 73-ën Dortmundi riktheu baraspeshën me Thomas Meunier, ndërsa 3 minuta më vonë Marco Reus pati shansin ideal për t’i dhënë fitoren skuadrës vendase por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Me këtë barazim Dortmundi u ngjit në kuotën e 29 pikëve, 4 më pak se Bayerni kryesues.

Në barazim 2-2 ndërkohë u mbyll sfida mes Ëolfsburg dhe Leipzig. Mukiele kaloi pas vetëm 5 minutash skuadrën e Nagelsmann në avantazh por ujqërit përmbysën gjithçka që në pjesën e parë me golat e Weghorst dhe Renato Steffen.

Në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht në minutën e 54-t qëndërmbrojtësi Willy Orban realizoi golin e barazimit 2-2 rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund me Leipzig që humbi shansin për t’u ngjitur në krye të renditjes. Në ndeshjet e tjera Werder Bremen mposhti 2-0 Augsburg ndërsa barazuan pa gola Hoffenheim me Arminia Bielefeld si dhe Koln ndaj Hertha Berlin.

Top Channel